Banka Botërore vlerëson në raportin e fundit se Kosova do të ketë një rritje ekonomike nga 3.7 për qind në vitin 2023. “Rritja e BPV-së (bruto produkti vendor) pritet të ketë një përshpejtim modest, duke arritur në 3.7 për qind në vitin 2023. Kontributi i flukseve të diasporës në konsumin privat dhe eksportit të shërbimeve pritet të pakësohet për shkak të ngadalësimit të pritur të rritjes ekonomike në vendet e BE-së. Ngjashëm, kontributi i transfereve qeveritare në konsumin privat pritet po ashtu të ngadalësohet”, thuhet në raportin e Bankës Botërore.
Banka Botërore thekson gjithashtu se shumica vendeve në Ballkan aplikuan rritje të pagave në sektorin publik në fillim të vitit 2023. Kështu, për shembull, Serbia rriti pagat me 12.5% për nëpunësit civilë në fillim të vitit 2023. Mali i Zi rriti pagat neto të administratës publike, arsimit dhe shëndetësisë me gati 20%. Në Kosovë hyri një ligj i ri për pagat në sektorin publik, që synon të rrisë shpenzimet totale të pagave me 15%. Maqedonia e Veriut po punon për një Ligji të ri të pagave, pas kërkesave të vazhdueshme nga Federata e Sindikatave.
Tre vitet e fundit, pagat në vendet e rajonit janë rritur me ritme shumë më të shpejta sesa në Shqipëri, duke thelluar diferencën mes të ardhurave që merr një punonjës në Serbi, Maqedoninë e Veriut, Malit të Zi dhe Bosnjë-Hercegovinën, në krahasim me një shqiptar. Paga mesatare bruto për këto vende ishte midis 800-900 euro në muaj, kurse mesatarja në Shqipëri ishte 520 euro.