Në Paris fillon sot Forumi i Paqes me rastin e Ditës së Armëpushimit të Luftës së Parë Botërore.
Këtë vit, edicioni i gjashtë dyditor i Forumit të Paqes në Paris, me emrin “Kërkimi i bazës së përbashkët në një botë rivaliteti”, i kushtohet sfidave të sotme dhe kërkimit të përgjigjeve efektive.
Në këtë forum marrin pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Kurti dhe Vuçiq do të kenë bisedime me përfaqësues të vendeve evropiane në margjina të takimit.
Nuk dihet ende nëse Vuçiq dhe Kurti do të bisedojnë drejtpërdrejt apo nëse do të takohen individualisht me përfaqësues të vendeve të BE-së.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka publikuar mbrëmë pamje nga Franca. Ai shihet duke u përshëndetur me presidentin francez, Emanuel Macron. Kurti ka njoftuar se bashkë me gruan e tij, Ritën po qëndrojnë në Pallatin Elysee, mysafirë tek presidenti francez dhe bashkëshortja e tij.
Siç bëhet e ditur, Kryeministri Kurti do të takohet në Paris me Ndihmës Sekretari për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, James C. O’Brien.