Paris: Sonte hapja solemne e Olimpiadës, marrin pjesë nëntë sportistë nga Kosova

Sonte në Paris fillon zyrtatisht Olimpiada 2024 me një ceremonie hapëse në lumin Sena, dicka që nuk ka ndodhur asnjëherë më parë.

Kjo do të jetë hera e parë që Lojërat Olimpike nuk do të nisin në stadium.

Cani Travel

Rreth 85 anije do të bartin gati 7.000 atletë, një paradë gjashtë kilometra të gjatë në Senë, në zemrën e Parisit.

Nisja do të bëhet prej urës Austerlitz, anijet do të lundrojnë rreth katedrales Notre-Dame, për të arritur më pas afër Kullës Eiffel, si dhe nën shumë ura tjera që gjenden rreth qendrës së kryeqytetit francez.

Ceremonia do të nisë në orën 19:30 sonte dhe do të zgjasë rreth tri orë e 45 minuta.

Në Olimpiadën e Parisit do të arrihet për herë të parë barazia gjinore mes sportistëve, me 5,250 meshkuj dhe 5,250 femra që do të garojnë.

Në mesin e sportistëve të shumtë nga mbarë bota janë edhe nëntë sportistë nga Kosova.

Pesë vijnë nga sporti më i suksesshëm i Kosovës, xhudoja.

Nora Gjakova dhe Distria Krasniqi, kampione olimpike do të synojnë sërish medalje, e në Paris do të garojnë edhe xhudistët: Akil Gjakova, Laura Fazliu dhe Loriana Kuka.

Donjeta Sadiku do të garojë në boks dhe ka shpresa të mëdha për medalje olimpike.

Gresa Bakraqi do të garojë në vrapim 800 metra, kurse Adell Shaboviq dhe Hana Beiqi garojnë në not.

Olimpiada 2024 zgjat deri më 11.gusht.