Liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës ka sjellë ndikimin e parë në frekuentimin e bregdetit të Durrësit, njofton Euronews Albania
Dikur pushuesit më besnikë, sot shqiptarët e Kosovës e kanë kaluar atë në plan të dytë, si një destinacion për pushimet e tyre verore.
Sipas tur-operatorëve, vakumi i krijuar është mbushur me turistët e huaj, që këtë fillim-sezoni kanë qenë të shumtë në qytetin bregdetar.
“Mund të themi se është zëvendësuar me rritjen e turistëve nga shtetësi të huaj, nga të cilët pjesa më e madhe janë gjermanë dhe norvegjezë”, thotë Blerim Norja, operator turistik.
Turistët e parë të këtij sezoni janë kryesisht turistë që vijnë të organizuar në grupe me paketa të mbyllura, por një rritje të shpejtë po sheh edhe numri i turistëve elitarë, të cilët vijnë në grupe të vogla individuale a familjare.