Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti prezantoi dje (28.10.2022) një plan të ri lidhur me zbatimin e vendimit për targa të makinave. Ai ka theksuar se ata persona të cilët nuk e zbatojnë vendimin për ndryshimin e targave nga data 1-21 nëntor do të marrin masën e qortimit.
“Për tri javë, duke filluar nga data 1 nëntor deri më 21 nëntor, masa do të jetë ajo e qortimit. Pastaj, nga 21 nëntori, për dy muaj deri më 21 janar do të jetë masa e gjobitjes”, tha kryeministri i Kosovës. Sipas planit të qeverisë, nga 21 janari 2023 dhe deri më 21 prill 2023 do të vendosen targa provuese për automjetet me targa ilegale. Pas datës 21 prill, veturat me targa të vjetra, “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA”, nuk do të kenë mundësi të regjistrohen me targa RKS, të hyjnë apo të qarkullojnë në dhe përmes territorit të Republikës së Kosovës.
Vendimi i Qeverisë së Kosovës vjen pas presionit të ndërkombëtarëve për të shtyrë afatin per targat. Më parë Qeveria e Kosovës kishte vendosur datën 1 nëntor si afatin e fundit për ndryshimin e targave.