Në fshatin Varagë të komunës së Zubin Potokut mbrëmë ndodhi një shpërthim që ka dëmtuar kanalin e ujit të Ibër-Lepencit.
Policia e Kosovës njoftoi se sot në mëngjes filloi një aksion I bastisjeve në disa shtëpi të fshatit Varage të Zubin Potokut.
Në orët e para të mëngjesit u mbajt edhe mbledhja e jashtëzakonshme e Këshillit të Sigurisë së Republikës së Kosovës, nën udhëheqjen e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti,
Zyra për komunikim e Kryeministrit njofton se kjo mbledhje u thirr pas sulmit të tretë në 72 orët e fundit, që këtë herë ka shënjestruar infrastrukturën kritike të vendit – sistemin e furnizimit me ujë dhe prodhimin e energjisë elektrike.
“Indikacionet e para sugjerojnë se ky sulm i radhës është orkestruar nga shteti serb, i cili ka kapacitete për një sulm të këtillë kriminal e terrorist. Elemente të organizatave terroriste “Mbrojtja Civile” e “Brigada Veriore” dhe kryekrimineli Millan Radoiçiq nën dirigjimin e Presidentit dhe Qeverisë së Serbisë planifikojnë e ushtrohen në Serbi për sulme të këtilla profesioniste“, thuhet në njoftimin nga kjo mbledhje.
Këshilli i Sigurisë ka aprovuar masa shtesë për të forcuar sigurinë rreth objekteve dhe shërbimeve kritike si ura, trafostacione, antena, liqene, kanale etj. Policia e Kosovës dhe Forca e Sigurisë së Kosovës do të aktivizohen në terren për këtë qëllim.