PE: Kosova të mos mbetet zonë gri në integrimin evropian

Shumica e deputetëve të Parlamentit Evropian që morën pjesë në diskutimet rreth draft-raporteve për Kosovën dhe Serbinë, kërkuan që Bashkimi Evropian ta qartësojë procesin e integrimit të Kosovës, në mënyrë që ky vend të mos mbetet një zonë gri në hartën e Evropës.

Të enjten, në Komisionin e Politikës së Jashtme të PE-së, raportuesi për Kosovën, Riho Terras, paraqiti draft-raportin e tij vjetor për situatën në Kosovë dhe përparimin e saj drejt BE-së.

Cani Travel

Gjatë debatit u shpreh pritja që Kosova ta konstituojë sa më shpejt Kuvendin, pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit dhe ta formojë qeverinë.

Raportuesi Terras tha se pret që BE-ja të marrë rol më aktiv në Ballkanin Perëndimor dhe që Komisioni i ri Evropian dhe përfaqësuesja e lartë e tij, Kaja Kallas, të jenë në krye të këtij angazhimi.

Ai tha se BE-ja duhet t’i heqë masat ndaj Kosovës – që u ndërmorën në vitin 2023, për shkak të situatës së tensionuar në veriun e vendit të banuar me shumicë serbe – sepse ato, sipas tij, nuk janë korrekte.

Terras kërkoi që edhe pesë vendet e BE-së, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, ta bëjnë një gjë të tillë, në mënyrë që të përshpejtohet procesi i integrimit të Kosovës në BE.

(Radio Evropa e Lirë)