Një pjesë e Ballkanit Perëndimor u godit dje nga shirat e mëdha që shkaktuan përmbytje, vërshime dhe viktima. Situata më e rëndë është në Bosnje dhe Hercegovinë , ku vdiqën të paktën 21 njerëz, kurse shumë të tjerë u zhdukën.
Shiu i rrëmbyeshëm dhe rrëshqitjet e dheut shkatërruan dje shtëpi, rrugë dhe ura në të gjithë qendrën e vendit, thanë zyrtarët.Situata më kritike është në komunën e Jabllanicës, rreth 70 km në jugperëndim të kryeqytetit Sarajevë, ku u raportuan vdekjet. Kjo zonë u bllokua plotësisht pasi u shkatërruan lidhjet rrugore dhe hekurudhore.
Edhe në Shqipëri ka pasur dje rreshje dhe përmbytje. Situata më kritike ishte në Vlorë.Pas një dite të gjatë reshjesh që sollën përmbytje dhe shqetësime për qytetarët, Vlora ka kaluar një natë të qetë, por pasojat e motit të keq vazhdojnë të ndihen.
Teksa reshjet e rënduara janë larguar, shumë zona të qytetit përballen ende me probleme, përfshirë mungesën e energjisë elektrike dhe baltën e ujin që kanë mbuluar rrugët.
Rreth 30 familje u evakuuan si pasojë e përmbytjeve nga moti i keq në Vlorë.