Presidenti amerikan, Biden do të vizitojë Gjermaninë

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, vjen më 10 tetor në Berlin. Do të jetë kjo vizita e parë shtetërore e një lideri amerikan në pothuajse 40 vjet, njofton zyra e presidentit gjerman, Frank-Walter Steinmeier.

Asnjë president i SHBA-së nuk ka bërë një vizitë shtetërore që nga ribashkimi i Gjermanisë në vitin 1990, dhe vizita e fundit e tillë ishte nga presidenti Ronald Reagan në vitin 1985, kur Helmut Kohl ishte kancelar.

Cani Travel

Steinmeier do t’i japë presidentit amerikan nderimin më të lartë të Gjermanisë, Kryqin e Madh, i cili është i rezervuar për krerët e shteteve.

“Presidenti gjerman në këtë mënyrë do të shprehë vlerësimin për shërbimet e Biden për miqësinë amerikano-gjermane dhe për aleancën transatlantike, veçanërisht në dritën e agresionit rus kundër Ukrainës”, tha zyra e Steinmeier.

Biden është presidenti i parë i SHBA-së që merr nderimin pas George W Bush, i cili ishte president midis 2001 dhe 2009.

Presidenti amerikan do të takohet edhe me kancelarin Olaf Scholz. Ata do të marrin pjesë edhe në samitin për Ukrainën në bazën ajrore amerikane në Ramstein që zhvillohet më 12 tetor.