Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist organizon sot në Prishtinë një protestë gjithëpopullore kundër dhunës ndaj grave. Shkas për këtë tubim është vrasja makabre e Liridona Ademaj që ndodhi par disa ditësh, por edhe raste të shumta të dhunës ndaj grave në Kosovë.
„Këtë javë u njoftuam se një polic e përdhunoi një të mitur në Gjakovë, e një burrë pagoi vrasjen e bashkëshortes së vet në Prishtinë”, thuhet në njoftimin e Kolektivit për Mendim dhe Veprim Feminist. „Thërrasim në organizim dhe veprim të gjitha/ë anembanë Kosovës që të mblidhemi dhe të themi njëzëri që nuk ka paqe pa sigurinë e grave dhe të kërkojmë që dhuna e gjinizuar dhe femicidi të trajtohen si urgjencë kombëtare”, theksohet më tutje në thirrjen e kësaj organizate në protestë gjithëpopullore.
Sipas, Kolektivit për Mendim dhe Veprim Feminist, dhuna e gjinizuar ndaj vajzave dhe grave dhe femicidi nuk janë incidente të izoluara apo simptoma të problemeve psikologjike të kryerësve të këtyre krimeve.
“Ato janë simptoma të patriarkalizmit i cili vazhdon ta qeverisë familjen, shoqërinë dhe shtetin tonë. Ato janë pasojat e një dhune strukturore patriarkale që vazhdon t’i shtypë gratë e të prodhojë dhunues e vrasës në çdo celulë të organizimit shoqëror dhe politik“, thuhet në njoftim.