Në panairi “ProWein 2023”, i cili njihet si një ndër panairet që ofron prodhimet më të shumta të verërave në botë është promovuar edhe Kosova. Në këtë panair janë promovuar edhe pesë kompani nga Kosova që merrem me prodhimin e pijeve alkoolike. “ProWein” është hapur më 19 mars në Dyseldorf të Gjermanisë dhe mbetet i hapur deri me datë 21 mars.
Pjesëmarrjen e Stone Castle Vineyards&Winery, Bodrumi i Vjetër, Illyrian, Suhareka Verari dhe Agro Vita në këtë panair e ka mbështetur Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), përkatësisht Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA). Prodhimet nga Kosova janë prezantuar në standin numër 12D02, në hapësirën ekspozuese prej 33 m2 në Hall 12.
Vendi ku kompanitë nga Kosova po i promovojnë prodhimet e tyre ka zgjuar interesim të vizitorëve si dhe dashamirëve të verës dhe rakisë. Ishte ky një rast i mirë edhe për vendosjen e kontakteve me biznese nga shtete të ndryshme të botës.