Pse po vonohet përpunimi i kërkesave në „Ausländeramt“?!

Zyret për të huajt në landin Renania Veriore Vestfalia (NRW) ballafaqohen me problemin serioz të mungesës së stafit. Këto janë rezultatet e një sondazhi të WDR Westpol, ku janë përfshiërë të gjitha 81 zyre për të huajt në NRW. Situata më e vështirë është në Mülheim an der Ruhr, Witten dhe Bergheim – atje mungojnë më shumë se 25 për qind të punëtorëve.

Për shkak të kësaj gjendje, shumë të huaj kanë probleme serioze kur duhet të zgjasin lejen e qëndrimit apo të kryejnë ndonjë punë tjetër në zyre për të huajt. Nëse skadon leja e përkohshme e qëndrimit, ata mund të humbasin punën, nuk mund të gjejnë një punë të re ose një apartament. Për të parandaluar këtë, shumë autoritete lëshojnë një certifikatë fiktive, pra një dokument të përkohshëm. Kjo zgjat vetëm përkohësisht, pra derisa zyra nuk e merr një vendim definitiv për kërkesën përkatëse.

Cani Travel

Zgjidhja e vetme për këtë problem është punësimi i bashkëpunëtorëve të rinj. Mirëpo, gjetja e punëtorëve të rinj në zyret për të huajt është mjaft e vështirë, sepse punonjësit e rinj fillimisht duhet të trajnohen për një kohë të gjatë para se të fillojnë të punojnë. Çdo aplikim për vizë apo leje të punës është individual, ligji i imigracionit është kompleks dhe ndryshon shpesh. Por, më shumë staf do të ishte një ndihmë e madhe për autoritet, e sidomos për të huajt, të cilët shpesh janë të detyruar të presin me muaj të tërë për të vazhduar dokumentet e tyre.