Përfundoi biseda e shumëpritur telefonike e presidentit amerikan Donald Trump dhe presidentit rus Vladimir Putin. Telefonata ka zgjatur rreth dy orë.
Në lajmet e para nga Kremlini thuhet se Putini ka rënë dakord për ndërprerjen njëmujore të sulmeve ndaj insfrastrukturës së energjisë në Ukrainë. Por korrespodentët e mediave gjermane në Moskë thonë se ky lloj armëpushimi më shumë i ndihmon Rusisë, sesa Ukrainës, sepse Ukraina së fundi ka sulmuar me shumë sukses rafineritë në territorin e Rusisë.
Moska thotë se Putini ka kërkuar edhe ndërprerjen e mbështetjes së Ukrainës nga Amerika dhe Evropa. Ai ka kërkuar ndërprerjen e mbështetjes me armë, por edhe me informacione të shërbimeve sekrete. Akoma nuk dihet nëse Trumpi është dakorduar.
Tani për tani nuk ka ndonjë marrëveshje për armëpushim të plotë në Ukrainë, ndonëse flitet për vazhdimin e shpejtë të kontakteve dhe bisedimeve.
Ministri i jashtëm i Ukrainës ka kërkuar para takimit vendosjen e armëpushimit. Edhe disa vende evropiane kanë kërkuar armëpushim njëmujor të plotë, por duket se Putini është dakorduar vetëm pjesërisht me këto kërkesa.