Qendra Kulturore Shqiptare në Shtutgart shënoi më ditë më parë 10-vjetorin e themelimit të saj. Motoja e këtij manifestimi ishte „Bukë e krip e zemër“, e në atë morën pjesë shumë shoqata, mysafirë e të ftuar. Në festën e shoqatës u shënua edhe 110-vjetori i pavarësisë së Shqipërisë, si dhe „Dita e personave me aftësi ndryshe”.
Kryetari i Qendrës Kulturore Shqiptare në Shtutgart, Vitor Spaqi prezantoi aktivitetet dhe historinë e Qendrës, dhe i falëndëroi të gjithë ata që ndihmuan, përkrahen dhe ishin pjesë e saj, dhe të cilët u nderuan me mirënjohje.
Programin e drejtoi Gjylije Lecaj, ndërsa në këtë manifestim morën pjesë edhe përfaqësuesit e Konsullatës së Republikës së Kosovës në Shtutgart. Udhëheqësja e Konsullatës, Lumturie Lipoveci, foli për rëndësinë dhe rolin e shoqatave në diasporë. „10 vite të Qendrës Kulturore, janë të mbushura me aktivitete dhe përkushtim për ruajtjen e identitetit kombëtar. Roli që kanë pasur shoqatat ndër vite, ka qenë shumë i rëndësishem në lobimin për çështjen e Kosovës, lirinë e shtetëndërtimit“ tha Lumturie Lipoveci.
Manifestimi i Qendrës Kulturore Shqiptare në Shtutgart u përmbyll me një program të pasur kulturor.