Me zgjedhjen e Qeverisë së re të Serbisë nuk do të ndryshojë politika ndaj Kosovës, sepse ajo udhëhiqet nga presidenti Aleksandar Vuçiq dhe jo nga kryeministri apo ministrat, thonë për Radion Evropa e Lirë analistët e çështjeve politike nga Kosova dhe Serbia, Artan Muhaxhiri dhe Ognjen Gogiq.
“Ekziston vetëm një busull që e orienton dinamikën e jetës politike dhe institucionale të Serbisë – quhet Aleksandar Vuçiq. Të gjithë të tjerët afër tij janë shtesa që kanë përfitime të ndryshme nga të qenët kukulla politike”, thotë Muhaxhiri.
Ai thekson se “fuqinë e vërtetë për të marrë vendime të rëndësishme, përfshirë ato që kanë të bëjnë me Kosovën, e ka Vuçiq”.
Për Gogiqin, Qeveria e Serbisë është më shumë “një shërbim që i dorëzon raporte presidentit të Serbisë”.
“Politika [ndaj Kosovës] do të vazhdojë të përcaktohet nga presidenti, varësisht rrethanave të ndryshme”, vlerëson ai.
Më 2 maj, deputetët e Kuvendit të Serbisë zgjodhën Qeverinë e re, të kryesuar nga Millosh Vuçeviq, i cili është kryetar i Partisë Përparimtare Serbe në pushtet.
Gjatë paraqitjes së ekspozesë më 1 maj, Vuçeviq tha se Serbia do të bëjë gjithçka të mundur për ta penguar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
Serbia, deri më tani, e ka bllokuar anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, ndonëse me Marrëveshjen e Ohrit për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, është zotuar se nuk do ta bëjë një gjë të tillë.
Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, e cila është shpallur në vitin 2008, por, përmes marrëveshjeve të ndryshme të arritura ndër vite, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, i ka njohur targat, dokumentet e diplomat e Kosovës.
(Radio Evropa e Lirë)