Kryetari i LDK Abdixhiku thotë se kjo parti planifikon të ardhmen pa Albin Kurtin. Ndërsa kryetari i PDK pohon se ata do të ndërprejnë të gjitha komunikimet me Qeverinë dhe Presidenten, përveç situatave emergjente. Haradinaj kërkon mocion.
Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur një takim ku ka vendosur të ndërprejë kontaktet me qeverinë dhe Presidenten, përveç disa temave. Memli Krasniqi thotë se një kërkesat kryesore të PDK është shpallja e datës së zgjedhjeve të përgjithshme të parakohshme. Ai ka kërkuar që kjo të bëhet sa më shpejt, përmes dorëheqjes së kryeministrit Albin Kurti ose shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës. Krasniqi pohon se PDK“nga sot s’do të votojë në asnjë forum, as ligje, as vendime, as rezoluta, as marrëveshje, sepse situata në Kosovë nuk është normale dhe ne s’mund ta simulojmë normalitetin”.
“Nga sot shkëpusim dhe pezullojmë çdo lloj komunikimi zyrtar me kryeministrin Kurti dhe presidenten përveç në situata emergjente, dhe për të diskutuar mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme të përgjithshme“ ka thënë ai.
Më parë kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku ka sulmuar ashpër kryeministrin Kurti dhe shtoi se kjo parti planifikon të ardhmen e vendit pa Kurtin. Ndërsa lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj ka kërkuar kaherë mocion kundër qeverisë Kurti dhe shkarkimin e tij. Ai e konsideron shumë të dëmshëm Kurtin dhe qeverinë e tij për të ardhmen e vendit, për shkak të prishjes së raporteve me SHBA dhe sanksioneve të BE.