Reforma e ligjit të shtetësisë gjermane është në fazën përfundimtare. Qeveria gjermane ra dakord për këtë çështje. Me ndryshimet e propozuara, migrantëve do t’u mundësohet të marrin më shpejt pasaportën gjermane si dhe shtetësinë e dyfishtë. Pra, në të ardhmen të huajt në Gjermani do të mund të marrin nënshtetësinë pas pesë vjetësh, e në raste integrimi të shkëlqyer edhe pas tre vjetësh.
Deri më tani, migrantët duhet të prisnin tetë vjet për të marrë pasaportën, në të ardhmen do të mjaftojnë pesë. Do të jetë i mundur edhe një integrim më i shpejtë. Kush ka arritje të veçanta në integrim mund të marrë edhe pas tre vjetësh nënshtetësinë gjermane. Kjo vlen për ata që flasin shumë mirë gjuhën gjermane, arrijnë në punë rezultate të shkëlqyera apo angazhohen në punë vullnetare.
Po ashtu, fëmijët e të huajve të lindur në Gjermani do të kenë mundësi të marrin më shpejt shtetësinë gjermane. Kushti është që njëri prind të ketë jetuar legalisht në Gjermani për pesë vjet – në vend të tetë viteve siç ishte më parë.
Me ligjin e ri do të jetë e mundur edhe nënshtetësia e dyfishtë. „Shumë të ardhur në Gjermani, ndjehen gjermanë, por nuk duan ta ndërpresin plotësisht marrëdhënien me vendin e prejardhjes“, ka thënë ministrja e Punëve të Brendshme të Gjermanisë, Nancy Faeser (SPD). Në të ardhmen ata nuk do të jenë të detyruar të dorëzojnë një pjesë të identitetit të tyre.
Megjithatë, rregullat e reja për integrim më të shpejt nuk do të vlejnë për ata persona që kanë rënë në sy për veprime antisemitiste. Kreu i Këshillit Qendror të Hebrenjve në Gjermani, Josef Schuster e mbështeti këtë rregullore. Mirëpo, majtistët gjermanë e kritikojnë këtë qëndrim, duke theksuar se me këtë presupozohet sikur antisemitizmi është i importuar. Atë e gjen thellë edhe në Gjermani, ka thënë një zëdhënës i Të Majtës.
Projektligji i propozuar i shtetësië është dërguar për shqyrtim landeve dhe shoqatave. Siç pritet, qeveria gjermane do të miratojë këtë ligj në verë.