Agjencia e Statistikave të Kosovës ka njoftuar se gjatë 10 ditëve të fundit sa ka nisur procesi i regjistrimit të popullsisë, janë regjistruar 207 mijë e 462 qytetarë dhe mbi 50 mijë e 888 banorë jorezidentë (që jetojnë jashtë vendit).
Në prezantimin e bërë thuhet se deri më tani janë kryer gjithsej 112 mijë e 390 intervista dhe se ka interesim të të gjitha grupeve etnike për të marrë pjesë në regjistrim.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit ekzekutiv të ASK-së, Avni Kastrati, tha se edhe përkundër presionit të Listës Serbe, ka pjesëmarrje edhe nga komuniteti serb që jeton në veri.
“Për mospjesëmarrje në regjistrim ka pasur një thirrje publike nga komuniteti serb, nga Lista Serbe, ne kemi bërë vetë përpjekje dhe jemi në vazhdimësi duke bërë përpjekje, këto ditë që kanë kaluar kemi pjesëmarrje edhe të komunitetit serb edhe nga komunat veriore, kemi persona të regjistruar vullnetarisht, përkundër që kanë pasur disa sfida. Ne mendojmë që ditëve në vijim një pjesë e madhe e tyre do të jetë pjesë e regjistrimit, sepse jemi duke bashkëpunuar edhe me komunat, edhe me institucionet e tjera, presim. Një pjesë e komunitetit nga komunat veriore tashmë është duke u regjistruar”, ka deklaruar ai.
Procesi i regjistrimit të popullsisë ka filluar më 5 prill dhe do të zgjasë deri më 17 maj.