Rritet interesimi i qytetarëve serbë për pajisje me pasaportë të Kosovës

Në prag të hyrjes në fuqi të liberalizimit të vizave për Kosovën, një numër i madh i qytetarëve serbë në veri janë të interesuar që të pajisen me pasaportë të Kosovës. Sipas shifrave të ofruara për RTK-në nga Ministria e Brendshme, për 3 muajt e fundit, 531 serbë të komunave veriore aplikuan për pasaporta të Kosovës.

Datën se kur mund të lëvizin pa viza e dinë, por jo edhe procedurat që duhet t`i ndjekin nga 1 janari. Për këtë, qytetarët e komunave veriore po informohen nga Qeveria e Kosovës përmes aktiviteteve në terren.

Cani Travel

Bazuar në të dhënat e Ministrisë së Punëve të Brendshme, interesimi i qytetarëve serbë për t’u pajisur me dokumente të Kosovës është rritur.

Në periudhën gusht-tetor të vitit 2023, vërehet dukshëm numër më i madh i qytetarëve serbë nga katër komunat veriore për t’u pajisur me pasaportë të Kosovës, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2022, njofton RTK.