Numri i azilkërkuesve në Gjermani është rritur ndjeshëm vitin e kaluar – veçanërisht në dhjetor. Sipas të dhënave të Zyrës Federale për Migracion dhe Refugjatë, gjithsej 244,132 persona aplikuan për azil në Gjermani në vitin 2022. Shumica e aplikantëve vinin nga Siria dhe Afganistani. Refugjatët nga Ukraina nuk kanë nevojë të aplikojnë për azil, njofton Diaspora Today. Në këto shifra nuk janë përfshirë edhe më shunmë se një milion refugjatë të ardhur nga Ukraina.
Në vitin 2021, numri i azilkërkuesve në Gjermani ishte dukshëm më i vogël, përkatësisht 190,816. Kjo do të thotë se numri i njerëzve joukrainas që kërkuan azil në Gjermani është rritur 27.9 për qind. Pas njerëzve nga Siria dhe Afganistani, numri më i madh i aplikantëve për azil ishte nga Turqia. 23.938 persona nga Turqia kërkuan azil në Gjermani në vititn 2022, gjë që është një rritje prej 238.7 për qind në krahasim me vitin e kaluar. Autoritetet nuk përmendin ndonjë arsye për një rritje kaq të madhe, por supozohet se kjo mund të bëjë me situatën ekonomike në Turqi. Shqiptarët nuk janë në mesin e grupeve të kombeve me numër të madh që aktualisht kërkojnë azil në Gjermani, por është shtuar dukshëm së fundi numri i punëtorëve shqiptarë që vijnë në këtë vend, për të cilët ju ka njoftuar Diaspora Today edhe më parë.
Ndryshe Gjermania është vendi me numrin më të madh të azilkërkuesve në BE, pastaj vijnë Franca, Spanja, Greqia dhe Italia.