Paratë që emigrantët dërgojnë te familjarët e tyre kanë shënuar rritje të ndjeshme në 2023, duke arritur nivelin më të lartë historik, të paktën që prej vitit 2008, kur Banka e Shqipërisë raporton të dhënat.
Remitancat, apo dërgesat e emigrantëve arritën në gati 930 milionë euro në 2023, me rritje prej 11.3% në krahasim me vitin e mëparshëm. Në krahasim me vitin 2013, kur remitancat kishin hyrë në cikël rënës, fluksi pothuajse është dyfishuar, shkruan Monitor.
Sipas Eurostat, në 2022 rreth 74 mijë shtetas shqiptarë (73,858) morën leje qëndrimi në një nga vendet e BE-së. Në krahasim me një vit më parë, numri i lejeve është rritur me 34%.
Ndërkohë, kjo është shifra më e lartë e konstatuar që nga viti 2010, duke treguar qartë një tendencë të shtimit të personave që lënë vendin me synimin për të jetuar dhe punuar në një nga shtetet e Bashkimit Evropian.