Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, u dënua sot nga Gjykata Speciale me seli në Hagë, me 26 vjet burgim për vrasje të paligjshme, ndalim arbitrar dhe torture ndaj shqiptarëve. Salih Mustafa u shpall fajtor për krime lufte në kompleksin në Zllash në vitin 1999.
„Ju shpall fajtor për torturë si krim lufte, ndalim arbitrar si krim lufte, vrasje si krim lufte. Duke qenë se jeni shpallur fajtor për më shumë se një vepër, trupi gjykues ka përcaktuar dënim me 10 vjet burgim për krimin së ndalimit arbitrar, dënim me 22 vjet burgim për torturë, 25 vjet burgim për vrasje të paligjshme. Trupi gjykues ju dënon me vendim të njësuar me 26 vjet burgim”, tha kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt-Foglia, duke shtuar se krimet janë kryer ndaj shqiptarëve.
Kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt-Foglia, tha se „trupi gjykues ka marrë për bazë dëshmitë e dëshmitarëve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, pasi kanë qenë të besueshme, u konfirmuan nga prova të tjera dhe se ishin të qarta dhe koherente, përshkrimet ishin të gjalla dhe të rrëfyera me emocion”.
Vendimi i sotëm i Gjykatës Speciale, njëherësh është aktvendimi i parë i këtij institucioni lidhur me hetimet për krime lufte në Kosovë. Në Gjykatën e Speciale në Hagë tash e dy vjet po mbahen të akuzuar për krime lufte, ish-kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi, ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi dhe ish-pjesëtari tjetër i UÇK-së, Pjetër Shala. Sipas prokurorisë së Dhomave të Specializuara, Thaçi, Veseli, Krasniqi, Selimi, dhe Shala, dyshohen për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit – burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer ndërmjet marsit të vitit 1998 dhe shtatorit 1999. Që të gjithë janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë mbi ta.
Kryetarja e Gjykatës Speciale të Kosovës, me seli në Hagë, Ekaterina Trendafilova, gjatë një vizite muaj më parë në Kosovë, pati thënë se në fund të këtij viti, apo në fillim të vitit të ardhshëm, pret të nisë gjyqi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Gjykata Speciale heton krimet e pretenduara të anëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë në periudhën janar 1998 deri në dhjetor 2000. Ligji për themelimin e Gjykatës Speciale është miratuar në Kuvendin e Kosovës, funksionon sipas ligjeve të Kosovës, por selinë e ka në Hagë të Holandës.
Reagimi i kryeprokurorit
Ushtruesi i Detyrës së Prokurorit të Specializuar Alex Whiting mirëpriti vendimin e sotëm në gjykimin ndaj Salih Mustafës si një masë që u jep drejtësi viktimave dhe përshëndeti kurajën e dëshmitarëve që dhanë dëshmi para Dhomave të Specializuara.
“Aktgjykimi i sotëm përbën një fitore për drejtësinë dhe, në veçanti, për viktimat e Salih Mustafës dhe familjet e tyre, të gjithë shqiptarë të Kosovës, tragjeditë personale të të cilëve ishin në zemër të këtij rasti, dhe që kanë vuajtur për më shumë se dy dekada për shkak të veprimeve të Z. Mustafa,” tha Z. Whiting në përgjigje të shpalljes fajtor të Mustafës nga Trupi Gjykues.
“Dëshmia e dëshmitarëve që i dhanë besimin e tyre Dhomave të Specializuara që të sjellë drejtësi, pati ndikim kritik tek aktgjykimi dhe unë duartrokas kurajën e tyre të jashtëzakonshme që dolën për të dhënë dëshmi në gjykatë,” vazhdoi Ushtruesi i Detyrës së Prokurorit të Specializuar. “Krijimi i Dhomave të Specializuara të Kosovës ka bërë të mundur që këto viktima të tregojnë historitë e tyre dhe të marrin drejtësi.”
Z. Mustafa u shpall fajtor për katër akuza për krime lufte – mbajtje arbitrare; torturë; dhe vrasje – dhe u dënua me 26 vjet burg.
Të gjithë viktimat ishin shqiptarë të Kosovës, disa prej të cilëve i ishin bashkuar UÇK-së vullnetarisht sepse ata besonin me forcë në luftën për pavarësinë e Kosovës.
“Gjykata vendosi se Z. Mustafa përdori autoritetin e tij për të viktimizuar dhe trajtuar brutalisht bashkëpatriotët e tij shqiptarë të Kosovës,” tha Z. Whiting.
Z. Mustafa u arrestua më 24 shtator 2020 nga ZPS-ja pas lëshimit të një urdhër arresti, urdhër transferimi dhe aktpadie të konfirmuar nga një gjykatës i procedurës paraprake të Dhomave të Specializuara të Kosovës.
Gjykimi filloi më 15 shtator 2021 dhe ZPS-ja e mbylli çështjen e saj më 4 shkurt 2022. ZPS-ja paraqiti kundërprovat më 1 qershor 2022 dhe procedura e paraqitjes së provave përfundoi më 20 qershor 2022. Deklaratat përmbyllëse u bënë në periudhën 13 dhe 15 shtator 2022. ZPS-ja thirri 14 dëshmitarë gjithsej.
“Me vendimin e sotëm, Dhomat e Specializuara kanë treguar se ato janë një gjykatë për viktimat dhe rreth viktimave dhe se nuk ka datë skadimi për dhënien e llogarisë,” përfundoi Whiting.