Gjykata e Bosnje-Hercegovinës e ka dënuar presidentin e Republikës Sërpska, Millorad Dodik me një vit burgim dhe gjashtë vjet ndalesë të ushtrimit të detyrës së presidentit. Dodik u dënua për skak të mosrespektimin e vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë të bashkësisë ndërkombëtare, Christian Schmidt.
Dodik akuzohet për nënshkrimin e dekreteve presidenciale, me të cilat shpalli të vlefshme dy ligje jokushtetuese të Republikës Sërpska, të cilat më parë ishin shfuqizuar nga Përfaqësuesi i Lartë. Fjala është për ligjet mbi moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnje-Hercegovinës, dhe moszbatimin e vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë në territorin e Republika Sërpskas.
Ky është një vendim i shkallës së parë që mund të apelohet.
Ndërkohë, gjykata e BeH e ka liruar ushtruesin e detyrës së drejtorit të Gazetës Zyrtare të Republikës Srpska, Millosh Lukiq nga të gjitha akuzat.
Duke folur pas shpalljes së vendimit, Dodik u ka thënë mbështetësve të tubuar para Asamblesë Kombëtare të Republikës Sërpska në Banjallukë, se “nuk ka arsye për shqetësim”.
Pak pas marrjes së vendimit, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka thirrur seancë urgjente të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Serbisë për sot në orën 17:00.