„Si pasojë e luftës agresore të Rusisë në Ukrainë, Evropa duhet të bëhet shumë më e fortë dhe më e pavarur ekonomikisht. Një Evropë e bashkuar është halë në sy për presidentin rus Vladimir Putin“, theksoi kancelari gjerman Olaf Scholz në një fjalim në Universitetin e Pragës.
Kancelari tha se ai është i përkushtuar për zgjerimin e Bashkimit Evropian, në të cilin duhet të përfshihen jo vetëm shtetet e Ballkanit Perëndimor, por edhe Ukraina, Moldavia dhe në të ardhmen, edhe Gjeorgjia. Ai u shpreh edhe për një politikë të përbashkët mbrojtjeje në BE. Scholz tha se do të duhej të zhvillohen sisteme të përbashkëta armësh, në të cilat mund të stërviten të gjithë ushtarët e vendeve anëtare dhe të cilat mund të mirëmbahen më mirë. Në këtë kontekst, ai u angazhua për një sistem të përbashkët të mbrojtjes ajrore, i cili do të ishte „më i lirë dhe më efikas“ se zgjidhjet e secilit vend më vete dhe që në të njëjtën kohë do ishte një „fitim në fushën e sigurisë për të gjithë Evropën“.
Duke folur për riorgainizimin e BE, Scholz u shpreh për kalimin gradual nga vendimet njëzëri drejt vendimeve me shumicë në fusha të ndryshme të politikave të përbashkëta, si në politikën e jashtme apo politikën tatimore.
Edhe në Forumin e 17-të Strategjik të Bled-it, i cili filloi dje, u bë fjalë për luftën në Ukrainë dhe nevojën e zgjerimit të BE. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se presidenti rus Vladimir Putin nuk duhet të fitojë luftën me Ukrainën, dhe se BE do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën.
Duke folur për integrimin evropian të Ballkanit Perëndimor, presidentja e KE-së tha se BE-ja do të vazhdojë të mbështesë rajonin dhe se përparimi që e kanë arritur Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria është shumë i rëndësishëm.
“Miqtë tanë në Ballkanin Perëndimor janë pjesë e familjes sonë evropiane. Prosperiteti i Ballkanit varet tërësisht nga integrimi i rajonit në pjesën tjetër të Evropës. Gjëja më e rëndësishme është që njerëzit e Ballkanit Perëndimor në masë të madhe duan t’i bashkohen Bashkimit Evropian”, tha Von der Leyen. Ajo kujtoi se vitet e fundit ka pasur një ngadalësim të integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe shtoi se stabiliteti i Ballkanit Perëndimor është edhe stabilitet evropian, ashtu siç është edhe prosperiteti i Ballkanit Perëndimor prosperitet evropian.
Edhe nikoqiri i Forumit strategjik të Bledit, presidenti slloven Borut Pahor, foli për nevojën e zgjerimit të BE. „Bashkimi Evropian duhet të bëjë gjithçka për të bindur Serbinë të forcojë politikën e saj të orientimit drejt Evropës Perëndimore. Në këtë mënyrë do të zgjidheshin problemet në Bosnje dhe Hercegovinë, si dhe dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës“, tha Pahor Ai vlerësoi se sa më gjatë të zgjasë procesi i zgjerimit të BE-së, aq më i madh do të jetë ndikimi i Rusisë në Ballkanin Perëndimor.