Në Kishinau të Moldavisë sot (01.06.2023) mbahet samiti i Komunitetit Politik Europian, ku tema kryesore do të jenë: lufta e Rusisë kundër Ukrainës, zgjerimi i BE dhe siguria globale. Mirëpo, në margjina të këtij takimi do të bëhet fjalë edhe edhe tensionet në veri të Kosovës pas protestave të fundit të serbëve që vazhdojnë edhe më tutje.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka bërë të ditur se bashkë me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, do të bisedojnë më 1 qershor me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq. Këto takime do të zhvillohen ndaras në margjina të samitit në Moldavi.
Shefi për Politikë të Jashtme i BE-së, Josep Borrell tha sot para fillimit të mbledhjes në Kishinau se është në pritje të një takimi me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq. „Duhet të insistojmë se dhuna nuk është rruga, dhuna duhet të ndëshkohet dhe kryesit e kësaj dhune duhet të vihen para drejtësisë. Duhet të shmanget çfarëdo lloj përshkallëzimi dhe lëvizjet e pakoordinuara”, tha Borell.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti foli dje në Bratisllavë me përfaqësuesin e lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borell, dhe të dërguarin e BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak. Në një postim në Twitter pas takimit, Kurti ka theksuar se dhuna ndaj policisë, Kfor-it dhe gazetarëve është e papranueshme.