Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, tha se tensionet e fundit në Kosovë kanë dëshmuar se sa e rëndësishme është prania e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.
Gjatë një konference për media në Berlin, së bashku me sekretarin e Përgjithshëm të aleancës perëndimore ushtarake, Jens Stoltenberg, kancelari gjerman tha se shteti i tij mbështet misionin e KFOR-it.
“NATO është garantues i sigurisë në Ballkanin Perëndimor, në Kosovë përmes KFOR-it. Gjermania merr pjesë në këtë mision përmes forcave të armatosura. Tensionet në ditët e fundit kanë ilustruar se sa e rëndësishme është kjo prani dhe që KFOR-i duhet të jetë në pozicion që të reagojë në mënyrë të duhur ndaj të gjitha zhvillimeve”, tha Scholz.