Kancelari gjerman Olaf Scholz është shprehur optimistë se Kosova dhe Serbia do të ecin para drejt arritjes së marrëveshjes.
Scholz ka theksuar se tani është koha që konfliktet të cilat janë trashëguar në Ballkan të zgjidhen dhe se sipas tij tani është mundësia për ta bërë një gjë të tillë.
„Sa i përket Kosovës dhe Serbisë, atje duhet të gjendet një mirëkuptim. Ne dhe qeveria franceze jemi duke u munduar ta bëjmë të arritshme një marrëveshje dhe shpresojmë se shumë shpejt do të kemi një proces ku të dyja qeveritë do të ecin përpara dhe do të arrijnë marrëveshje”, ka theksuar Scholz, në konferencë për media.
Ai ka thënë se procesi i marrëveshjes Kosovë-Serbi kërkon një durim të madh.
Ndërkaq, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka theksuar se marrëveshja Kosovë-Serbi është e domosdmoshme.
“Bëjmë thirrje për të dyja palët që të ecim tutje. Kjo është një urë që po ndërtohet për të zgjidhur një problem. Është në të mirë edhe të një procesi të përshpejtuar të aderimit”, ka thënë ajo.
Në anën tjetër, kryeministri shqiptar, Edi Rama ka theksuar se plani i ri franko-gjerman është një mundësi tejet e mirë jo vetëm për Kosovën e Serbinë por për të gjithë rajonin e Evropën.
“Shpresoj që të dyja palët ta marrin seriozisht këtë plan dhe të dyja ta kuptojnë se është koha që ta shohin si një kontribut të rëndësishëm në të gjithë arkitekturën e sigurisë së Evropës”, ka thënë Rama.
Scholz: I rëndësishëm integrimi i vendeve të Ballkanit në BE
Integrimi i gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian është shumë i rëndësishme sidomos tani në kohën kur Rusia e ka sulmuar Ukrainën. Kështu ka deklaruar kancelari gjerman, Olaf Scholz, në konferencën për media në Berlin.
Ai ka kërkuar nga vendet e Ballkanit Perëndimor hapa konkret për integrimin përmes Procesit të Berlinit dhe bashkëpunimit më të ngushtë.
“Procesi i Berlinit që nga 2014-ta ka dhënë një kontribut vërtet të frytshëm te njerëzit. Janë ndërtuar rrugë të reja, marrëdhënie të reja, të cilat kanë qenë kyçe për ekonominë e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Nënshkrimi i këtyre marrëveshjeve tregon seriozitetin e 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe vlerat e tyre. Këto marrëveshje për diplomat, kartat e ID dhe njohjen e kualifikimeve të tri profesioneve e bëjnë më të bashkuar rajonin”, ka thënë kancelari gjerman.
Sipas tij këto tri marrëveshje janë shumë të rëndësishme, e ku të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë qasje të barabartë.
„Këto marrëveshje janë një arritje e madhe për qytetarët e rajonit. Marrëveshjet kanë ndihmuar dhe ndihmojnë që këto shtete të bashkëpunojnë edhe më shumë”, ka shtuar Scholz.
Ai tutje ka thënë se BE ka investuar deri në 50 milionë euro për sektorin e energjisë, derisa në kuadër të këtij procesi do të ndajë deri 1 miliardë euro.