Serbët bllokuan disa rrugë në veri të Kosovës – mbyllen dy pikëkalime kufitare me Serbinë

Policia e Kosovës ka bërë të ditur sot se ka mbyllur për qarkullim dy pikat kufitare në veri të Kosovës: Jarinjë dhe Bërnjak. Vendimin e mori pasi serbët i kanë bllokuar të shtunën disa rrugë në veri të Kosovës, në shenjë proteste pas arrestimit nga autoritetet kosovare të një ish-polici serb. Ky i fundit, akuzohet se ka organizuar sulmin e javës së shkuar mbi zyrat e KQZ-së në veri. Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se ish-polici serb ka organizuar „sulmin terrorist” ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës.

„Dejan Pantiq akuzohet për kryerjen e veprave terroriste dhe sulm ndaj rendit kushtetues”, tha Sveçla.  Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nga ana e tij, arrestimin e ish-policit Dejan Pantiq nga Policia e Kosovës, e cilësoi si veprim të pamatur të autoriteve kosovare.

Cani Travel

„Shërbimet tona e kanë hetuar shumë seriozisht të gjithë rastin. Unë bisedova me partnerët ndërkombëtarë dhe theksova pamaturinë e atyre që kryen një veprim të tillë dhe cënuan edhe një herë paqen”, tha Vuçiq në Beograd.

Pas dorëheqjes së serbëve nga insitutcionet e Kosovës dhe nga komunat, presidentja Vjosa Osmani, kishte vendosur që atje të mbahen zgjedhjet lokale me 18 dhjetor. Por pas presionit ndërkombëtar, presidentja Osmani i ka shtyer zgjedhjet lokale në katër komunat në veri, për datën 21 prill 2023.

„Në mënyrë që të sigurojmë pjesëmarrje sa më të madhe të qytetarëve në këto zgjedhje, vëzhgim nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare, siguri për të gjithë qytetarët pa dallim, si dhe kohë të mjaftueshme për institucionet e sigurisë që të bëjnë edhe përpjekje e të ndërmarrin veprime shtesë për rend dhe ligj në veri në vendit, vlerësoj se shtyrja është e nevojshme”, tha presidentja Vjosa Osmani, pas një takimi që zhvilloi me partitë politike, ku u vendos për shtyrjen e zgjedhjeve.

Vendimin e kanë mbështetur autoritetet e BE dhe të QUINT-it. „Ky vendim konstruktiv çon përpara përpjekjet për të promovuar një situatë më të sigurt në veri, që është kyçe për dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, si e vetmja mënyrë për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve midis Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në njoftimin e QUINT-it, ku bëjnë pjesë Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania dhe Italia. Edhe Bashkimi Evropian dhe misioni i OSBE-së, thanë se e „mirëpresin vendimin e presidentes Osmani dhe të liderëve të partive politike për të shtyrë mbajtjen e zgjedhjeve për kryetarë komune dhe ato për asambletë komunale në veri të Kosovës”.