16 kosovarë janë ndaluar nga autoritet serbe në pikën kufitare Kroaci-Serbi, kurse mbi 300 udhëtarë nga Kosova janë bllokuar në këtë pikë kufitare me Serbinë, që nga ora 1 e mesnatës, shkruajnë mediat e Kosovës.
Pronari i agjencisë së udhëtimit „Zhitia turist“, Gazmend Zhitia thotë se përveç pikës kufitare Kroaci – Serbi, janë të mbyllura edhe pikat e tjera kufitare me Serbinë. Ai shtoi se nuk kanë informacione nga autoritet serbe pse po ndodhe kjo, por që udhëtarët nuk po lejohen të kalojnë nga asnjë pikë kufitare me shtetin serb.
Përveç autobusëve të kësaj linje udhëtimi, të bllokuar kanë mbetur edhe autobus të agjencive „Barileva turist“ dhe „Teuta tours“.
Sekretari i parë i Zyrës ndërlidhëse të Kosovës në Serbi, Fatmir Haxholli ka konfirmuar se në pikëkalimin ‘Batrovci’, Serbi – Kroaci, që nga mesnata po mbahen të bllokuar disa autobus me targa dhe udhëtarë të Republikës së Kosovës.
Ai ka thënë se një gjë të tillë autoritetet serbe po e bëjnë pa ndonjë arsye, por thjesht “në shenjë hakmarrje dhe nervozizëm absurd ndaj votimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në këtë institucion”.
“Bllokimi i rreth 300 qytetarëve, duke ua mbajtur pasaportat dhe dokumentacionet e udhëtimit, është shkelje flagrante jo vetëm e marrëveshjeve të Brukselit, por edhe e të drejtave universale të njeriut të garantuara me të gjitha konventat ndërkombëtare. Vetëm regjimet më autoritare i bllokojnë udhëtarët e një vendi tjetër, me shpjegimin ‘ky është një urdhër nga Beogradi’. Duke qenë që Zyra Ndërlidhëse serbe nuk po komunikon me Zyrën tonë, siç ndodhi edhe këtë mëngjes, kam kërkuar dhe jam në pritje të përcjelljes së afërt, që të udhëtojë drejt pikëkalimit Batrovci, për t’ju gjetur pranë bashkëqytetarëve tanë dhe në shenjë proteste ndaj këtij zhvillimi”, ka shkruar Haxholli në Facebook.