Federata serbe e Futbollit është gjobitur me 20.000 franka nga FIFA, për shkak të shfaqjes së një flamuri me një hartë ku Kosova ishte paraqitur si pjesë e Serbisë dhe ku shihej mesazhi „Nuk ka dorëzim“.
Ky flamur u pa në zhveshtoren e përfaqësueses serbe gjatë ndeshjes midis Brazilit dhe Serbisë, të zhvilluar më 24 nëntor në Katar, në kuadër të Kampionatit Botëror, ku Serbia u eliminua pas garave në grupe.
Sipas FIFA-s, me shfaqjen e këtij flamuri, ku ishte përfshirë harta e Kosovës me ngjyrat e flamurit serb dhe me mbishkrimin “Nuk ka dorëzim”, Serbia ka shkelur dy nene të Kodit Disiplinor të saj.
FIFA kishte nisur procedurë disiplinore për këtë rast, pas një ankese të paraqitur në nëntor nga Federata e Futbollit të Kosovës (FFK).
FFK-ja e kishte cilësuar këtë veprim si akt shovinist. “Akte të tilla shoviniste nuk kanë vend në një ngjarje sportive, e aq më pak brenda objekteve ku zhvillohet ngjarja më e madhe e futbollit botëror, prandaj FFK si anëtare e barabartë me të gjithë anëtarët e tjerë të FIFA-s, kërkon nga ky institucion që të ndërmarrë masa sanksionuese ndaj veprimeve që nxisin urrejtje mes popujve dhe janë kundër vlerave njerëzore”, thuhej në njoftimin e FFK-së.
Ndryshe trajneri serb Dragan Stojkoviq dhe disa lojtarë kanë qenë shumë agresivë gjatë ndeshjes Zvicër – Serbi, ndaj lojtarëve me origjinë nga Kosova. Në veçanti Granit Xhaka është sulmuar nga disa lojtarë madje edhe fizikisht. Ndërsa trajneri Stojkoviq shante hapur shqiptarët.