Serbia nuk është më në vendet kryesore që dominon për nga importi i mallrave në Kosovë.
Në dy vitet e fundit importi nga Serbia ka rënë me 70 për qind. Ndërsa, ka rritje të importit nga ana e Shqipërisë për rreth 25 për qind, shkruan revista ekonomike Monitor.
Në muajin që lamë pas është bërë një vit që kur Kosova ka vendosur masën e sigurisë për ndalimin e mallrave serbe.
Nga atëherë e deri ma tani, vërehet se Serbia ka filluar ta humbë tregun e Kosovës.
Bazuar në të dhënat e Doganës del se ka rënie të dukshme të mallrave të importuara nga Serbia.
Në periudhën janar-maj janë importuar mallra në vlerë prej 42.3 milionë eurosh. Ndërsa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar ishin importuar 74.99 milionë euro.
Bazuar në këto të dhëna del se gjatë periudhës 5-mujore janë importuar sasi mallrash nga Serbia 115 mijë e 234 tonë.
Ndërsa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar ishin importuar 183 mijë e 755 tonë mallra “Made in Serbia”.
Sipas të dhënave, shteti serb nuk është më në pesë vendet që dominon për nga importi i mallrave. Turqia prin si vendi me importin më të madh, e ndjekur nga Gjermania, Kina, Greqia dhe Shqipëria.