Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian dhe Gjermania kërkojnë shtendosjen e gjendjes dhe maturi në veprime në lidhje me gjendjen në Kosovë. Qeveria gjermane është shumë e shqetësuar për shkak të tensioneve të fundit në veri të Kosovës dhe për këtë gjendje ka fajësuar drejtpërdrejt Serbinë dhe krerët e Beogradit – qeverinë dhe presidentin Aleksandar Vuçiq. Nga Serbia pritet një qasje konstruktive lidhur me këtë situatë, tha të mërkurën (28.12.2022) në Berlin një zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë. “Retorika nacionaliste që kemi dëgjuar nga Serbia në javët e fundit, është krejtësisht e papranueshme”, theksoi ai, duke kritikuar edhe prezencën e shtuar ushtarake pranë kufirit me Kosovën.
Qeveria e Gjermanisë kërkon që barikadat ilegale të ngritura nga serbët e Kosovës të hiqen sa më shpejt. Para disa ditësh, ministrja e Jashtme Analena Baerbock e ka fajësuar drejtpërdrejt Serbinë dhe Vuçiqin për tensionimin e gjendjes, sepse Kosova ka shtyrë vendimin për ndryshimin e targave ilegale, e ka vendosur të shtyjë edhe zgjedhjet lokale për kryetarë të katër komunave në veri, pasi që kryetarët e tanishëm serbë kanë dhënë dorëheqje.
Bllokadat dhe barrikadat serbe i kanë denuar edhe përfaqësuesit e SHBA dhe BE, të cilët në një deklaratë të përbashkët u kanë bërë thirrje të gjitha palëve për shtensionimin e gjendjes dhe përmbajtje. Shërbimi për politikë të jashtme i BE ka kërkuar që të hiqet dorë nga provokimet dhe kërcënimet, dhe që menjëherë të ndërmirren masa për shtensionimin e gjendjes. Në reagimin amerikano-evropian thuhet se Kosova ka siguruar se nuk ekziston ndonjë listë për arrestimin e serbëve që kanë vendosur barrikada apo kanë bllokuar rrugët.