Pas rikthimit të qetësisë në veri të Kosovës, zyrtarët e Uashingtonit dhe ata të Bashkimit Evropian kërkojnë që Kosova dhe Serbia t’i rikthehehen dialogut. Përfaqësuesit e Departamentit Amerikan të Shtetit insistojnë që të implementohen të gjitha marrëveshjet e nënshkruara dhe theksojnë se kjo duhet të bëhet plotësisht dhe pa vonesa. Në mesin e këtyre marrëveshjeve është edhe ajo për krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.
Zëdhënësja e BE-së për politikë të jashtme, Nabila Massrali shprehu kënaqësinë për shkak të qetësimit të situatës në veri të Kosovës. Megjithatë, ajo tha se situata në veri të Kosovës mbetet e brishtë dhe për këtë arsye dy vendet duhet të nisin implementimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura gjatë dialogut si e vetmja mënyrë për të ruajtur qetësinë dhe paqen në rajon. Në këtë kontekst, Massrali përmendi edhe nevojën e fillimit të diskutimit për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.
Në përpjekje për të ringjallë dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, pritet se gjatë muajit janar në Prishtinë dhe Beograd do të qëndrojnë këshilltarët kryesorë të kancelarit gjerman, Olaf Scholz dhe presidentit francez, Emmanuel Macron – Jens Plettner dhe Emanuel Beaune. Siç është paralajmëruar, atyre do t’u bashkohet edhe emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.