Gjermania, SHBA dhe Franca kanë vendosur të dërgojnë tanke dhe armë të tjera në Ukrainë, me të cilat ky vend mund të mbrohet në mënyrë shumë më efikase nga agresori rus. Kjo është hera e parë që Gjermania vendos të dërgojë armë të kalibrave më të mëdhenj, të prodhimit perëndimor. Pas një telefonate mes kancelarit Olaf Scholz dhe presidentit amerikan Joe Biden është vendosur që Gjermania të dërgojë dhjetëra tanke Marder si dhe një sistem mbrojtës të raketave „Patriot“ në Ukrainë. Deri tani nuk ka ndonjë vendim për dërgimin e tankeve moderne Leopard që është një prej kërkesave të kahershme ukrainase, por presidenti ukrainas Zelenski ka falënderuar publikisht presidentin Biden dhe kancelarin Scholz për këto ndihma.
Më parë Franca ka vendosur të dërgojë „tanke të lehta për luftë“ në Ukrainë. Presidenti francez, Emmanuel Macron, ia premtoi këtë kolegut të tij ukrainas Volodymyr Zelenski, njoftoi pallati Élysée pas një telefonate mes dy presidentëve. Bëhet fjalë për tankun AMX-10 RC. Ai përdoret kryesisht për zbulim. Sa tanke do të dërgojë Franca në Ukrianë nuk është e qartë deri tani.
Ndërsa SHBA do të dërgojë në Ukrainë edhe armë të tjera të sofistikuara. Qeveria amerikane do të dërgojë automjete të blinduara Bradley, të cilat janë të pajisura edhe me një top, një mitraloz dhe raketa. Presidenti Joe Biden iu përgjigj pozitivisht një pyetje të një gazetari nëse qeveria po shqyrtonte mundësinë e dërgimit të këtyre armëve në Ukrainë, por presidenti nuk dha detaje të tjera. Fillimisht ishte e paqartë se cili model „Bradley“ do të ishte i përshtatshëm për Kievin. Ushtria amerikane ka në pronësi mijëra Bradley që nga mesi i viteve 1980, të përdorura kryesisht për transportin e trupave. Automjetet do t’u jepnin forcave ukrainase më shumë fuqi në fushën e betejës dhe do të forconin aftësitë e tyre të luftës.