SHBA: Harris merr mbështetjen e nevojshme për të kandiduar si presidente

Nënpresidentja e Shteteve të Bashkuara, Kamala Harris, siguroi mbështetje të mjaftueshme në mesin e delegatëve të Partisë Demokratike, për t’u bërë kandidate e saj për presidente, njoftojnë mediat.
Një sondazh i agjencisë Associated Press, i publikuar mbrëmë, tregoi se Harris ka mbështetjen e më shumë se 1.976 delegatëve të nevojshëm për të fituar nominimin.
Votimi do të zhvillohet nga data 1 deri më 7 gusht. Delegatët janë njerëzit që zgjedhen për të përfaqësuar zonën e tyre zgjedhore në Konventën Kombëtare Demokratike, ku formalisht shpallet kandidati për president.
Kjo konventë do t’i nisë punimet më 19 gusht dhe do t’i përfundojë në datën 22 të atij muaji.
Presidenti Joe Biden i dha mbështetje Harrisit për të garuar për presidente, pasi ai vetë u tërhoq nga gara për rizgjedhje në zgjedhjet e nëntorit.