Shqipëri: Vetëvrasja që tronditi mbarë Ballkanin

Ngjarja tragjike e vetëvrasjes së Alma Arrazit dhe tre fëmijëve të saj në lumin Buna të Shkodrës që ndodhi ditë më parë ka tronditur jo vetëm Shqipërinë, por edhe njerëzit në mbarë Ballkanin Perëndimor, ku vazhdon të përcillet me shumë interesim.

Sipas njoftimeve të deritashme, Alma u largua nga banesa në Shkodër bashkë me tre fëmijët e saj më datën 2 maj. Policia u vu në kërkim të tyre pas kallëzimit të bërë një ditë më pas nga bashkëshorti dhe babai i fëmijëve, 31-vjeçari Ergys A.

Cani Travel

Zhytësit në Shqipëri gjetën deri tani trupat e dy vajzave të Alma Arrazit, e cila dyshohet se u vetëmbyt bashkë me tre fëmijët e saj të mitur në lumin Buna në Shkodër. Vazhdojnë kërkimet për gjetjen e gruas 39 vjeçe dhe djalit të saj 3 vjeç.

Në operacionin e kërkimit u përfshinë edhe forca të ushtrisë shqiptare, ndërsa, me kërkesë të autoriteteve, kërkime po bëhen edhe në pjesën e Malit të Zi.

Prokuroria e Shkodrës njoftoi se ka nisur tashmë procedim penal për Arrazin, për kryerjen e veprës penale “shkaktim i vetëvrasjes si pasojë e dhunës së ushtruar”.

“Deri në këtë fazë të hetimit janë krijuar dyshime të arsyeshme, të bazuara në prova, se shtetasi E.A., si rrjedhojë e dhunës psikologjike të vazhdueshme ndaj bashkëshortes së tij – shfaqur në formën e ofendimeve të vazhdueshme dhe tradhtisë bashkëshortore, duke prekur rëndë dinjitetin e saj – ka shkaktuar vetëvrasjen e 39-vjeçares, e cila në gjendje të rënduar psikologjike, dyshohet të jetë hedhur në lumë bashkë me tre fëmijët e mitur”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë së Shkodrës.