Në Shqipëri mbahen sot zgjedhjet lokale, ku do të votohet për kryetarët dhe këshillat e 61 bashkive të vendit. Pritet se pas këtyre zgjedhjeve, opozita do të kthehet në institucionet e pushtetit vendor pas katër vjet mungese për shkak të bojkotit në zgjedhjet e vitit 2019. Gjatë kësaj periudhe socialistët drejtuan pothuaj gjithë bashkitë e vendit.
Fushatën zgjedhore në Shqipëri e karakterizuan edhe akuzat e ndërsjellta për shitblerje votash mes dy subjeteve kryesore politike në garë. Fjala është për Partinë Socialiste në pushtet dhe koalicionin opozitar „Bashkë fitojmë“ të drejtuar nga dy politikanë veteranë, ish-kryeministri Sali Berisha dhe ish-Presidenti Ilir Meta.
Sipas burimeve zyrtare, Struktura e Posaçme Antikorrupsion, (SPAK) po heton tani për 14 raste korrupsione që lidhen me shitblerjen e votës. Të dhënat e Policisë së Shtetit flasin për regjistrimin e 54 rasteve veprash penale në fushën e krimeve zgjedhore dhe procedimin e 88 personave gjatë një muaji të fushatës elektorale.
Për këto votime janë regjistruar 3 milionë e 650 mijë qytetarë.Zgjedhjet e sotme lokale në Shqipëri to t’i monitorojë një mision i vëzhguesve ndërkombëtarë të OSBE/ODIHR-it i kryesuar nga ambasadorja Audrey Glover. Rezultatet pritet të shpallen të martën, më 16 maj.