Shqipëria dhe Serbia kanë kandiduar që së bashku të organizojnë Kampionatit Evropian në Futboll 2027, për kategoritë U21. Lajmin e ka bërë të ditur Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) përmes një komunikate në faqen e saj zyrtare, e atë e ka konfirmuar edhe presidenti i Federatës, Armand Duka.
“Pas organizimit të suksesshëm të finales së parë të UEFA Conference League në Tiranë në vitin 2022, dhe fitimit të së drejtës për të organizuar finalet e Kampionatit Europian 2025 për grupmoshën U-17, FSHF kërkon të organizojë një tjetër event madhor të futbollit europian. Shqipëria është një nga kandidatet kryesore për të organizuar ndeshjet finale të Kampionatit Europian 2027 për ekipet kombëtare U-21. FSHF i ka dërguar kërkesën UEFA-s, që Shqipëria të jetë një nga vendet pritëse të finaleve të këtij kompeticioni”, thuhet në komunikatë.
Më tutje thuhet se ‘duke qenë se nuk plotësohen kushtet sa i përket numrit të stadiumeve që kërkohen në mënyrë që vendi ynë të presë të gjitha ndeshjet finale të Kampionatit Europian U-21, FSHF do të bashkëpunojë me Federatën Serbe të Futbollit për të pritur së bashku fazën finale të EURO 2027 për grupmoshën U-21”.
Menjëherë pas publikimit të këtij lajmi ka pasur shumë reagime negative kundër FSHF-së, që ka zgjedhur pikërisht Serbinë, për partnere në kandidaturën për organizimin e Euro 2027.
Tifozët Kuq e Zi kanë reaguar ndaj lajmit për kandidaturën e përbashkët të Shqipërisë dhe Serbisë për Euro 2027 për U21. Tifozët Kuq e Zi, në reagimin e tyre shkruajnë se „Serbia, përveç krimeve dhe gjenocidit ndaj shqiptarëve është dënuar në disa raste nga UEFA për tifozët e saj racistë e të dhunshëm deri në vrasje.“
“Fqinjë kemi boll, s’kemi pse kapërcejmë Kosovën për t’i dhënë ndihmë Serbisë”, theksohet në postimin e tifozëve Kuq e Zi.