Serbia dhe Shqipëria janë gjithnjë e më afër marrjes së besimit nga UEFA për ta bashkëorganizuar Kampionatin evropian të futbollit për grupmoshën U21 në vitin 2027.
UEFA njoftoi dje se vetëm oferta e përbashkët e këtyre dy vendeve e ka plotësuar afatin për të paraqitur planet e detajuara për organizimin e turneut.
Vendimi definitiv për këtë çështje do të merret në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s më 16 dhjetor.
Federatat serbe dhe shqiptare të futbollit kanë filluar të bashkëpunojnë në maj për të planifikuar organizimin e këtij turneu me 16 ekipe që mbahet çdo dy vjet, i cili ka nevojë për tetë stadiume për të pritur 31 ndeshje.
Udhëheqësi i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, tha se ky “është një projekt 100 për qind futbollistik” me “një mesazh shumë të mirë politik që mund ta përçojmë”.
Mirëpo, ideja e organizimit të të përbashkët të kampionatit nga Shqipëria dhe Serbia nuk është pritur mirë nga grupet e tifozëve në Kosovë por edhe në Shqipëri, ku ka pasur reagime negative.
Tifozët Kuq e Zi, në reagimin e tyre në maj kanë theksuar se „Serbia, përveç krimeve dhe gjenocidit ndaj shqiptarëve është dënuar në disa raste nga UEFA për tifozët e saj racistë e të dhunshëm deri në vrasje.“
Komentatori i njohur i futbollit, Dritan Shakohoxha ka reaguar ashpër ndaj lajmit se Shqipëria dhe Serbia do të organizojnë kampionatin evropian për grupmoshat U-21.
“Turp dhe e paçin faqen e zezë atë që për interesa personale e bën këtë bashkëpunim. Nuk ka asnjë motiv tjetër që Shqipëria dhe Serbia të organizojnë këtë Kampionat bashkë”, ka thënë ai.