Disa shtete të Bashkimit Evropian janë të shqetësuara me numrin tepër të madh të personave që kërkojnë azil, e vijnë nga vendet prej nga mund të lëvizin pa viza. Në një dokument të brendshëm të Presidencës sllovene të BE-së, që është bërë me kërkesë të shteteve anëtare, përmenden shembuj të shumtë të keqpërdorimit të udhëtimit pa viza dhe kërkesave të për azil. Raste të tilla të kërkesave të pabaza për azil ka pasur edhe nga shtetasit e vendeve të Ballkanit Perëndimor si Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut, si dhe nga Moldavia, Ukraina e Gjeorgjia.
Ndër vendet që është ankuar për numrin e madh të azilkërkuesve nga Shqipëria është Franca. Autoritetet e Francës thonë për agjensitë e huaja të lajmeve se ato „ndajmë vlerësimin e Komisionit Evropian, posaçërisht në rastin e Shqipërisë dhe Gjeorgjisë, për të cilat, liberalizimi i vizave ka shkaktuar një rritje të madhe të migrimit ilegal dhe kërkesave të pabazuara për azil në Francë”.
Franca ka shprehur shqetësim edhe për politikën e vizave të Serbisë për vendet e treta dhe ka kërkuar që të punohet me Beogradin, që të përshtatë politikat e tij me ato të BE-së.
Edhe më para ka pasur shtete të BE-së që kanë paralajmëruar se ardhja pa viza, apo edhe me viza e qytetarëve të vendeve të treta nga Ballkani Perëndimor, paraqet rrezik për migrim ilegal në BE. Disa shtete kanë kërkuar që përshtatja e politikës së vizave për shtetasit e huaj me politikën e BE-së të bëhet një prej kushteve që mund të çojë deri në suspendimin e liberalizimit të vizave.Çekia dhe Belgjika kanë shprehur shqetësimin e tyre për shkak të rritjes së madhe të numrit të azilkërkuesve nga Maqedonia e Veriut dhe Moldavia. Ndërsa Austria ka shprehur shqetësim edhe për ardhjen e shtetasve të Bangladeshit në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe të cilët më pas hyjnë në shtetet e BE-së.
Paknaqësi me këto zhvillime, sipas agjensive të huaja, ka shprehur edhe Gjermania, ku thuhet se ka pasur shkelje të rregullave nga shtetas të huaj. Këto raste janë në rritje sidomos për qytetarët nga Shqipëria dhe Serbia, që kryesisht kanë të bëjnë me qëndrim në shtet më shumë se 90 ditë, aq sa është e lejuar sipas rregullave të liberalizimit të vizave.Këto burime thonë madje se Gjermania ka kërkuar nga Komisioni Evropian që “opsioni i suspendimit të liberalizimit të vizave të jetë real”.
Bashkimi Evropian ka në fuqi të ashtuquajturit “mekanizmi për suspendimin e liberalizimit të vizave”, por kjo deri më tash nuk është përdorur. Holanda ka kërkuar aktivizimin e këtij mekanizmi në vitin 2019, dhe kthimin e vizave për Shqipërinë, por ky propozim nuk është miratuar, pasi që Komisioni Evropian ka konstatuar se nuk kishte kushte për një gjë të tillë.Sipas mekanizmave në fuqi, vizat mund t’u kthehen shteteve nga të cilat ka rritje të migrimit ilegal, keqpërdorimit të së drejtës për qëndrim pa viza dhe të cilat nuk ndërmarrin masa për të adresuar këto probleme. Ndër vendet prej nga ka pasur keqpëerdorime janë përmendur Ukraina, Moldavia dhe Gjeorgjia, por edhe Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut.