Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Shqipëri ka nisur përgatitjet për përfshirjen e emigrantëve në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Por pavarësisht nismave, partitë politike janë ato të cilat duhet të marrin vendimin përfundimtar në institucione. Ndërsa pa konsensus nuk mund të ketë zgjidhje përfundimtare. Ilirjan Celibashi ka propozuar që votimi të bëhet përmes rrugëve ektronike, si metoda më e përshtatshme dhe më praktike.
“Kuadri ligjor në fuqi e ka përcaktuar në gjykimin e vlerësimit se cilët janë ata që kualifikohen për të ushtruar të drejtën e votimit atje ku ata kanë vendbanimin. Mund të pranohet ideja që të ndërtohen qendra të posaçme votimi por kjo implikon pastaj dyshime mbi ato që do të jenë administrator në këto qendra votimi. Votimi elektronik do të ishte i mirë.”
Nëse merret një vendim pozitiv, atëherë rreth 1.4 milion shqiptarë që jetojnë jashtë vendit mund të japin votën e tyre për zgjedhjet parlamentare. Ndërkohë emrat e tyre ndodhen ende në listën e zgjedhësve në Shqipëri por nga proceset e deritanishme shumica e tyre kanë qenë të privuar nga vota, pasi shumë pak kanë pasur mundësi të vijnë në zgjedhje.