Kuvendi i Shqiptarëve të Zvicrës ka organizuar manifestimin “Java e Kulturës Shqiptare në Zvicër”. Të shtunën është mbajtur debati mbi “Historinë dhe aktualitetin e shqiptarëve në Zvicër”, ku u paraqitën këndvështrime të ndryshme të panelistëve: Dr. Basil Schader, albanolog dhe pedagog shumëvjeçar në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Cyrihut, Nexhat Maloku, kryetar i LAPSH-së “Naim Frashëri”, Hamit Zeqiri, punëtor social, udhëheqës i Qendrës për Migracion në Lucern dhe Adem Dërmaku, piktor akademik. Debatin moderoi Gëzim Hasanaj, ndëra panelistët folën për historinë e vendosjes së shqiptarëve në Zvicër, fazat e zhvillimit të këtij komuniteti, integrimin e tij, perceptimin nga vendësit, identitetin dhe tema të tjera, shkruan albinfo.ch.
Hamit Zeqiri, e sheh gjendjen me optimizëm. Ai tha se „shqiptarët këtu, kanë kaluar fazën e rëndë që kishin në mesin e viteve `90 të shekullit të kaluar, kur njiheshin për imazh jo të mirë. Me kalimin e kohës dhe me zhvillimin e gjithanshëm të komunitetit, shqiptarët gradualisht po shkojnë drejt statusit të pjesës “normale” të shoqërisë zvicerane.
“Zeqiri mendon se shqiptarët së shpejti do të jenë në një nivel me popullatën vendore. Por ai mendon se ekziston edhe „rreziku i asimilimit që vjen në mënyrë të vetëkuptueshme me kalimin e disa gjeneratave. “Dr. Basil Schader shtoi se „mjerisht, në sytë e pjesës konservatore të zviceranëve, gjithnjë duhet të ketë një komunitet të cilit i vihet faji për të gjitha të këqijat në shoqëri“. Kështu, së pari, “fajtor kujdestar” kanë qenë italianët, pastaj “Jugos”, më vonë shqiptarët dhe tani janë të tjerët, kryesisht të huajt nga Afrika Veriore dhe vende të tjera. Ardhja e refugjatëve nga Afrika dhe Azia „ka shpëtuar” shqiptarët nga roli i fajtorit kujdestar, mendon ai. Ndërsa ngritja e shkallës së arsimimit të shqiptarëve në Zvicër, është një tregues i mirë i integrimin e tyre në shoqërinë e atjeshme. Panelistët, Schader, Zeqiri dhe Maloku janë pajtuar se, krahasuar me një kohë jo shumë të largëta, niveli i shkollimit të shqiptarëve në Zvicër sot është shumë më i lartë. Por krahasuar me numrin e përgjithshëm të shqitparëve atje, numri i studentëve dhe i gjimnazistëve shqiptarë në Zvicër nuk është i knaqshëm.
Ndërsa Adem Dërmaku, ka folur edhe për artistët shqiptarë që kanë treguar sukses në Evropën Perëndimore, e pjesërisht edhe në Zvicër. Ai përmendi enkas artisët Adrian Paci, Sislej Xhafa dhe Petrit Halilaj. Në sallë është hapur edhe ekspozita me piktura e grafika të Adem Dërmakut dhe me fotografi të Rromir Imamit. “Java Kulturore Shqiptare në Zvicër” ka vazhduar me prezantimin e Shkollës Shqipe të Zvicrës (LAPSH), prezantimin e librave të autorëve shqiptarë në Zvicër Shaip Beqiri, Bujar Salihu dhe Shkumbin Gashi dhe aktivite të tjera.