Pas rrëmbimit të 3 policëve kosovarë nga ana e forcave serbe para dy ditëve, situata në veri të Kosovës vazhdon të jetë e tensionuar. Bëhet e ditur se protestuesit serbë e kanë kaluar sot rrethojën në Leposaviq dhe kanë tentuar të futen në objektin e komunës. Policia e Kosovës e ka konfirmuar këtë rast, por ka thënë se situata është qetësuar tash.
Dy stacione policore u sulmuan gjatë natës së kaluar me shok-bomba në Zveçan dhe Mitrovicë të Veriut. Sipas njoftimit të policisë, nuk ka të lënduar nga radhët e policisë, por është dëmtuar një veturë e policisë. Rasti po hetohet, autorët nuk dihen ende.
Faktorët ndërkombëtarë kërkojnë qetësimin e situatës dhe lirimin e tre pjesëtarëve të policisë së Kosovë që gjenden në Serbi. Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller, ka thënë se Serbia duhet t’i lirojë pa kushte tre pjesëtarët e Policisë së Kosovës. “Ne besojmë se Kosova dhe Serbia duhet të marrin hapa të menjëhershëm për të shtensionuar situatën”, ka thënë Miller.
Edhe Mbretëria e Bashkuar ka bërë thirrje për lirimin e menjëhershëm të tre policëve të Kosovës të rrëmbyer më 14 qershor nga forcat serbe në veri të Kosovës. “Ne i bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të ushtrojnë përmbajtje maksimale, të shmangin masat e njëanshme dhe të ndërmarrin veprime të menjëhershme për të ulur tensionet”, thuhet në një njoftim të Qeverisë britanike.
Ndërkohë, tre pjesëtarë të policisë së Kosovë do të dalin sot para një gjykate në Kralevë të Serbisë, ku do të vendoset nëse ata lirohen apo mbahen më tutje në paraburgim.