Ditë më parë, një skandal ka ndodhur në Aeroportin e Mynihut, ku këngëtarja shqiptare me renome ndërkombëtare, Bleta ‘Bebe’ Rexha, është kërcënuar nga një anëtar i sigurimit të aeroplanit, veç pse ajo i është drejtuar me pyetje në gjuhën shqipe.
Siç tregoi vet artistja në një video të publikuar në Instagram, ajo i ishte afruar sigurimit duke i folur në gjuhën e saj amtare (pasi kishte menduar se sigurimi ishte shqiptar), dhe me të dëgjuar atë të flas në shqip, ai e ka kërcënuar dhe më pas ka dashur ta largojë nga fluturimi.
E lidhur me këtë ngjarje, Telegrafi ka kontaktuar kompaninë gjermane të fluturimeve, ‘Lufthansa’ me të cilën Bebe Rexha po fluturonte atë ditë, për të kërkuar sqarime mbi këtë situatë dhe në një përgjigje për redaksinë tonë, përfaqësuesit e kompanisë kanë deklaruar:
“Ne kontaktuam drejtpërdrejt Bebe Rexhën të shtunën për të kuptuar situatën dhe jemi duke kryer një hetim të brendshëm mbi çështjen. Si një linjë ajrore ndërkombëtare, ne lidhim njerëzit dhe vendet në mbarë globin. Mysafirët dhe punonjësit tanë vijnë nga e gjithë bota. Diversiteti dhe mundësitë e barabarta janë vlera thelbësore për kompaninë dhe kulturën tonë korporative. Ne nuk tolerojmë asnjë lloj sjelljeje diskriminuese”.