Sonte në Prishtinë: Ndeshja Kosovë-Izrael nën masa të rrepta sigurie

Në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ në Prishtinë, sonte (12.11.2023) do të mbahet ndeshja ndërmjet Kosovës dhe Izraelit, në kuadër të kualifikimeve për Euro 2024 në futboll. Ndeshja do të zhvillohet  me praninë e tifozëve. 

Kjo është ndeshja e parë e Izraelit pas shpërthimit të konflikti në Lindjen e Mesme në fillim të tetorit. Për këtë arsye, institucionet e sigurisë në Kosovë kanë ndërmarrë masa të larta të sigurisë, në mënyrë që kjo ngjarje të zhvillohet pa probleme.

Cani Travel

“Në organizim të kësaj ndeshje me rëndësi të veçantë për Republikën e Kosovës dhe Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK) janë angazhuar si çdo herë FFK-ja, Policia e Kosovës (PK) për sa i përket aspektit të sigurisë, si dhe kompania e sigurimit privat për siguri në perimetrin e brendshëm”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Po ashtu, Policia e Kosovës bëri të ditur se nuk do të lejohen mjetet piroteknike, shishet e qelqit pavarësisht madhësisë, shishet e plastikës pavarësisht madhësisë, pijet alkoolike dhe substancat narkotike, ushqim i çfarëdo lloji (përveç ushqimit të fëmijëve 24 muajsh), ombrella, armë zjarri ose armë të ftohta apo çfarëdo mjeti tjetër që mund të përdoret si armë, sende të rënda (çanta shpine, karrige të palosshme etj.), kamera profesionale dhe video kamera, çdo material promovues racist, ksenofobik, politik, fetar.

Futbollistët e kombëtares së Izraelit kanë arritur në Kosovë të premten në mbrëmje dhe nga aeroporti deri në hotel janë përcjellë me masa të shtuara të sigurisë.