Sot në orën 16 në Beograd fillon tubimi i madh i studentëve dhe qytetarëve kundër regjimit aktual të presidentit serb, Alleksandar Vuçiq. Në këtë protestë priten qindra mijëra njerëz nga mbarë Serbia. Në mesin e tyre do të ketë edhe mbështetës të pushtetit, prandaj vlerësohet se ky do të jetë një tubim i rrezikshmërisë së lartë.
Forca të mëdha policore janë të pranishme në qendër të qytetit, e sidomos te „Pionirski Park“, ku gjenden mbështetësit e Vuçiqit që janë vendosur aty si një lloj mbrojtjeje para godinës së Kryesisë së Serbisë. Aty, si dhe para Kuvendit ka edhe shumë traktorë si barrikada.
Që nga mëngjesi njerëzit kanë filluar të vijnë në qendër të Beogradit – me makina, biçikleta, motorë, si dhe në këmbë… Rrugët e Beogradit janë mbushur plot, dëgjohen sirenat e veturave, disa rrugë janë të bllokuara.
Derisa qytetarët janë duke u tubuar në qendër të Beogradit, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka shkuar në anën tjetër të qytetit, për të vizituar kantierin e ndërtimit në Surçin ku do të mbahet EXPO 2027.
Ai ka postuar edhe një foto të tij nga kjo vizitë, ku ka shkruar: „Njerëzit ëndërrojnë ëndrra të ndryshme. Unë e dua një Serbi që po ndërtohet, një Serbi që po përparon, një Serbi që po fiton. Serbia do të fitojë sot dhe gjithmonë.”
Mbetet të shihet cila Serbi do të fitojë – ajo e Vuçiqit apo ajo e kundërshtarëve të tij.