Në Prishtinë sot mbahet protestë në mesditë kundër vendimit për mbylljen e Klan Kosova nga MINT. Këtë vendim e kanë kundërshtuar edhe BE-ja, diplomatë perëndimorë, shoqatat e gazetarëve vendorë dhe ndërkombëtar. MINT pohon se është vepruar sipas ligjit.
Bashkimi Evropian dhe ambasadorët në Kosovë të vendeve më të industrializuara Quint, ku bëjnë pjesë Gjermania, Franca, Italia, Britania e Madhe dhe Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimi Evropian në Kosovë, shprehen shqetësimin e thellë, me vendimin e Ministria së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, që i konfirmoi pezullimin e licencës së biznesit të televizionit Klan Kosova. Kjo ministri e hodhi poshtë ankesën e televizionit kombëtar Klan Kosova për shfuqizimin e pezullimit të certifikatës së biznesit të këtij mediumi privat.
“Ne jemi, në veçanti, të shqetësuar me heqjen e licencës së biznesit të Klan Kosovës me një vendim joproporcional, i cili do të ketë pasoja në pluralitetin e medias në Kosovë”, thuhet në një komunikatë të përbashkët të QUINT-it dhe BE-së të premten vonë. Heqja e licencës së cilido medium është hap i rëndësishëm që kërkon rishikim rigoroz, dhe se liria e shprehjes dhe informimi janë tipare thelbësore të shoqërive demokratike’, thuhet në reagimin e Qiunt-tit. Ambasadorët e Quint-tit dhe BE-ja, “presin proces ligjor të drejtë dhe transparent për zgjidhjen e kësaj çështje”. Një komision brenda ministrisë MINT, rikonfirmoi në fundjavë, se Agjencia Kosovare për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK) kishte “vepruar në përputhje me ligjin kur e pezulloi certifikatën e biznesit të Klan Kosovës, medium ky që kishte nisur punën më 17 shkurt të vitit 2009.
Për të sqaruar më tej në njoftimin e ministrisë thuhet se “vendimi i Komisionit e përmbyll këtë rast brenda Ministrisë”, ndërsa “pala ankuese gëzon të drejtën për të parashtruar padi në gjykatën kompetente”.
Në qershor të këtij viti, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ngriti ngriti kallëzimi penal ndaj Shoqërisë Tregtare, Klan Kosova me “pretendimin se në certifikatën e biznesit, te ndërrimi i pronarëve, figuron Pejë – Serbia dhe Gjakovë – Serbia”. Klan Kosova e cilësoi të padrejtë pretendimin e ministrisë, duke thënë se “Klani i ka si dëshmi të gjitha dokumentet që konfirmojnë se pronari i kompanisë është i regjistruar në komunën e Gjakovës të Republikës së Kosovës”.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, tha se është i tronditur me vendimin e qeverisë Kurti për mbylljen e Klan Kosova, duke e cilësuar si “goditjen më të rëndë që i bëhet lirisë së medies në Kosovë që prej kohës së luftës”.
“Me këtë vendim, ministrja Rozeta Hajdari e cila është pjesë e qeverisë Kurti ka finalizuar të gjitha veprimet administrative të nevojshme për të mbyllur televizionin Klan Kosova. Ndonëse vendimi mund të apelohet në gjykatë, ky vendim duhet të kuptohet si vendim i Lëvizjes Vetëvendosje dhe Kryeministrit Kurti për të mbyllur një medium për herë të parë që nga përfundimi i luftës në Kosovë”, thuhet në reagimin e Asociacionit, “duke e cilësuar këtë proces të motivuar politkisht”.
Edhe Organizata ‘Gazetarët pa Kufij’, shkroi se “pluralizmi i informacionit kërcënohet rëndë me refuzimin e ankesës së medias më të madhe private në vend, Klan Kosova”. “Duke mbajtur në fuqi pezullimin e certifikatës së biznesit, qeveria e Albin Kurtit po e çon atë drejt mbylljes. Ky vendim duhet të zhbëhet”, thonë gazetarët pa kufij.
Ndërkohë, sekretari i përgjithshëm i Federatës Evropiane të Gazetarëve, Ricardo Gutiérrez, shkroi në reagimin e tij tha se “ditët e zeza të censurës shtetërore janë mbi Kosovën”. “Qeveria më në fund ia doli që të mbyllë kanalin televiziv Klan Kosova. Qeveria e Albin Kurtit po e zhyt vendin në joliberalizmin më konservator, me përbuzjen më të madhe për vlerat e Bashkimit Evropian”, shkroi Gutierrez.
Sidoqoftë, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në reagimin e saj, bëri thirrje që “çdo dilemë ligjore rreth rastit të licensës së mediumit Klan Kosova, duhet të sqarohet deri në fund nga instancat përkatëse të sistemit të drejtësisë të Republikës së Kosovës”. Sipas saj, “liria e mediave nuk është privilegj, por një e drejtë themelore që mbështet funksionimin e një shoqërie demokratike”.