Mjekja nga Kosova, Zana Luci, është emëruar drejtoreshë e Departamentit të Gjinekologjisë në klinikën “Asklepios” në qytetin Lindau të Gjermanisë. Ajo do të drejtojë këtë repart nga nesër, 1 prill 2024.
“Me një karrierë mbresëlënëse profesionale që përfshin pozita në Prishtinë, Vjenë, Braunschweig dhe Osnabrück, ajo sjell përvojë të vlefshme në obstetrikë dhe trajtimin e sëmundjeve gjinekologjike. Fokusi i saj është në stilin e udhëheqjes kolegiale, përgjegjësinë personale dhe bashkëpunimin ndërdisiplinor”, thuhet në komunikatën e klinikës “Asklepios”.
“Ne ishim në gjendje të rekrutonim Dr. Zana Luci, një eksperte shumë me përvojë në fushën e saj, me një ndjeshmëri të fortë për pacientët e saj, për këtë detyrë të përgjegjshme”, thotë Clara Walter, drejtoreshë menaxhuese e Klinikës Asklepios Lindau.
Në vitin 2018 Dr. Zana Luci në Liqenin e Konstancës filloi të punoi si mjeke e lartë në Ravensburg dhe më pas mori rolin e mjekes së lartë në gjinekologji dhe obstetrikë në Überlingen. Krahas punës mjekësore, ajo punon si pedagoge e gjinekologjisë dhe obstetrikës në Akademinë Shëndetësore në Ravensburg.
Për emërimin e Zana Lucit si kryemjeke e Departamentit të Gjinekologjisë në klinikën “Asklepios” ka shkruar edhe mediumi gjerman Wochenblatt.