Së paku 115 njerëz u vranë, pasi sulmues të armatosur qëlluan mbrëmë (22.03.2024) një sallë koncertesh në periferi të Moskës, njoftuan zyrtarët rusë.
Autoritetet shëndetësore thanë se rreth 145 të tjerë u plagosën – prej tyre rreth 60 në gjendje kritike.
Ngjarja ndodhi në sallën Crocus City në Krasnogorsk, mbrëmjen e së premtes.
Drejtori i Shërbimit Federal të Sigurisë në Rusi, tha të shtunën se 11 persona janë arrestuar lidhur me sulmin në Moskë, përfshirë katër sulmues të armatosur.
Agjencitë e lajmeve njoftojnë se Shteti Islamik (IS), ka marrë përgjegjësinë për sulmin në disa kanale në Telegram, të lidhura me të.
Sipas deklaratës së IS-it, sulmuesit “janë tërhequr në bazat e tyre”.
Shtëpia e Bardhë bëri të ditur se e ka paralajmëruar Rusinë në fillim të këtij muaji për një sulm të mundshëm në Moskë.
Ukraina ka mohuar çdo përfshirje në këtë sulm.