Të hënën me 21 nëntor mbahet në Bruksel një takim urgjent i përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme e Siguri, Jopsep Borrell me krerët e Kosovës dhe Serbisë.
Fillimiasht në takime të ndara, Borrell do të diskutojë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, çështjen e targave ilegale të automjeteve që Serbia lëshon për qytetarët e Kosovës.
Për këtë problem, ka një marrëveshje të arritur në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi dhe tani Kosova dëshrion që ajo të zbatohet, por kjo kundërshtohet nga Serbia.
Zyra për Media e Borrellit njofton se pas takimeve të ndara do të ketë edhe një takim të përbashkët. Në këto takime do të jetë edhe i ngarkuari i BE për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Në njoftimin e BE thuhet se Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Borrell, do të nisë me takime të veçanta me secilin lider, duke filluar nga ora 08:00 e mëngjesit, e më pas do të ketë edhe një takim të përbashkët.
“Fokusi i takimit urgjent do të jetë gjetja e një rrugëdaljeje nga kriza aktuale dhe shmangia e çdo përshkallëzimi dhe tensioni të mëtejshëm në terren, me theks në targat dhe kthimin e serbëve të Kosovës në institucionet e Kosovës”, shkruan në këtë njoftim.
“Në fund të takimit do të ketë një deklaratë për mediat nga Përfaqësuesi Lartë”.
Para nisjes për në Brukseli kryeministri i Kosovës ka bërë të ditur se faza e dytë për targat, pra denimi i atyre që nuk kanë targa legjitime, do të shtyhet për një ditë. Nuk do të fillojë pra me 21 por me 22 nëntor. Ndërsa presidenti i Serbisë Vuçqi tha se nuk është optimist dhe se në Bruksel po shkon për të mos u akuzuar Serbia se fajtore. Ai nuk beson se do të ketë marrëvehje, për dallim prej krerëve të BE.
Ky takim mbahet në kohën kur serbët e Kosovës me direktiva të Beogradit zyrtar, kanë braktisur institucionet e Kosovës, në katër komunat në veri të vendit.
Policë, gjyqtarë, prokurorë e zjarrëfikës, kanë braktisur detyrat e tyre, veprim që e kanë bërë edhe deputetët e Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës, e të cilët më vonë ndryshuan mendje, dhe të tjerë që ishin në listën e pritjes, dhanë betimin dhe rimorën mandatet.